Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill në vazhdim të dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës tha se Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ishin persona të dedikuar për pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, i pyetur nga prokuroria se a i kujtohej Kadri Veseli, Hill tha se emrin e tij e kishte dëgjuar, por kohën kur nuk e dinte me siguri se kur e kishte takur për herë të parë.
“Krasniqi dhe Selimi ishin persona të dedikuar për pavarësinë e Kosovës. Ishin persona shumë të dedikuar për pavarësinë e Kosovës dhe UÇK ishte forca shtytëse”, tha Hill, shkruan A2.
I pyetur nga prokurori, James Pace se a kishte njohuri për sistemet inteligjente brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hill tha se nuk ka informacione të tilla: “Jo, nuk kam informacion lidhur me sistemin e raportimit brenda UÇK, sigurisht që SHBA kishin mundësi apo aftësi që të gjenin strukturat e UÇK-së, unë personalisht nuk kam informacion sa i takon sistemit të brendshëm të UÇK-së. Mendoj se duhet të kenë pasur një sistem të tillë, por nuk e kam këtë informacion”.
Në pyetjen e ZPS-së nëse ish-presidenti Ibrahim Rugova i kishte folur ish-diplomatit amerikan për krime e sulme që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-s, Hill mohoi një gjë të tillë: “Jo, nuk më kujtohet asnjë gjë që të më ketë thënë Rugova lidhur me këtë. Më kujtohen persona të tjerë në Prishtinë që kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me sigurinë e Rugovës”.
Hill gjatë dëshmisë në Hagë tha se Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje dhe dëshironin që njëri prej tyre të nënshkruante marrëveshje; “Thaçi dhe Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje prandaj ka qenë e rëndësishme për ne që të nënshkruhej nga një prej tyre”.
Në pyetjen e ZPS-së se a ka qenë Hill në dijeni se Hashim Thaçi ishte takuar me krerët e shtetit shqiptar mes Rambujesë dhe Parisit, ish-diplomati amerikan tha se në atë kohë nuk kishte njohuri për këtë takim.
I dërguari i posaçëm i SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill dhënien e dëshmisë së tij në Hagë e ka nisur dje, dhe është dëshmitari i pestë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit e cila përfaqësohet nga avokati Luka Mishetiç.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm. (A2 Televizion)
