Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme të formojë qeverinë e re, ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, shkruan A2 CNN. Në një prononcim për mediat, përpara se të hynte në Kuvendin e Kosovës për t’u regjistruar si deputet i legjislaturës së nëntë, Krasniqi shtoi se janë në pritje të lëvizjeve politike të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
“Kushtetuta parasheh që më 15 të konstituohet Kuvendi. Nuk është e domosdoshme që ne të votojmë patjetër. Gjithçka që presim është që më 15 të propozohet kryetari i Kuvendit, ndërsa ne të propozojmë nënkryetarët. Pse duhet të jemi ne ata që e votojnë kryetarin e Kuvendit? Nuk është problem të sigurohen 61 vota për kryetarin. Unë vetëm shpresoj që do të ketë respektim të vullnetit qytetar, të votës së qytetarit dhe të Kushtetutës së Kosovës. Të martën, partia e parë duhet të propozojë kryetarin e Kuvendit – kjo është me rëndësi të ndodhë. Në momentin që ndodh kjo, jam i bindur se nuk ka asnjë telashe për t’u siguruar 61 vota”, tha ai.
Krasniqi theksoi se PDK-ja është e gatshme që, me kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamzën, të marrë përsipër formimin e qeverisë së re të Kosovës.
"Është një rend shumë normal i legjitimitetit që, në rast se i pari dështon, atëherë i dyti merr mandatin. Presidentja, në rast të dështimit të Kurtit si i pari në këto zgjedhje, duhet të na ftojë për të na mandatuar. Ne tashmë e kemi të mandatuar Bedri Hamzën. Jam i bindur se ai është përtej një figure partiake – është një figurë e pranueshme edhe për partitë e tjera dhe për qytetarët në përgjithësi, pa dallim votash që kanë dhënë më 9 shkurt. Do të mund të vendosnim interesat e vendit mbi interesat dhe kërkesat partiake që mund të kenë partitë”, deklaroi kreu i PDK-së.
Ndërkohë, Krasniqi nuk la pa përmendur edhe rolin e Presidentes së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të saj.
“Është shumë herët të flitet për presidenten – i kanë mbetur edhe 11 muaj mandat. Sikur të arrihej një marrëveshje e shpejtë për formimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Bedri Hamza, mendoj se do të hynim në një proces prej 10-11 muajsh që do të sillte një situatë të re”, u shpreh ai.
Gjatë ditës së djeshme, si deputetë të Kuvendit të Kosovës janë regjistruar deputetët e zgjedhur nga partia e parë që doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit – Lëvizja Vetëvendosje. (A2 Televizion)