
Një skandal i rëndë ka ndodhur në Bruksel gjatë një eventi të Bashkimit Europian. Gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së, të dielën, ishte përfshirë edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë. Lidhur me këtë skandal, kryenegociatori Jeton Zulfaj, ka kërkuar shpjegime nga Brukseli.
“Një këngë nacionaliste serbe që mohon shtetësinë e Kosovës, e shkruar kur kasapi i Ballkanit, Millosheviçi, po shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po shtypte popullin tonë, u interpretua në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme. Një aktivitet i BE-së mbi zgjerimin nuk mund t'i japë skenë nacionalizmit serb”, tha Jeton Zulfaj, kryenegociator i Kosovës.
Një reagim lidhur me skandalin e rëndë erdhi nga komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, që shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës nacionaliste serbe nga ana e muzikantëve, në koncertin e mbajtur të dielën më 15 nëntor. Zyrtarja ka theksuar se ajo këngë në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Europian.
Duke folur para gazetarëve, pak para fillimit të forumit, Kos theksoi se qëllimi nuk është harrimi i dallimeve, por ndërtimi i një Europe ku ato nuk do të përbëjnë pengesë për të ardhmen e përbashkët. Ajo shtoi se të gjithë janë të vetëdijshëm për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në atë pjesë të Europës në të kaluarën. Kritika të forta ndaj organizatorëve lëshoi dhe reporteri për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, që tha se vendosja e këngës ishte “provokim i qëllimshëm ose injorancë e madhe”. (A2 Televizion)