Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur, por për të arritur këtë duhet t’i bëhet presion Beogradit që të zbatojë marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kështu u përgjigj kryeministri Kurti pyetjes nëse mund të ketë shpejt një marrëveshje me Serbinë, një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se dy vendet kishin qenë pranë shpërthimit të një lufte.
Sipas Kurtit, i cili foli gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e objektit të qendrës kryesore të mjekësisë në Shtime, dorëzimi i terroristit Milan Radojiçiç tek autoritetet e Kosovës është hapi i parë që duhet të ndërmarrë Serbia, shkruan A2 CNN.
“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona, është e domosdoshme që ata, pikë së pari, t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Milan Radojiçiçin, kriminelin që na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen Bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, të tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Bërnabiq ka thënë se nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti
Trump shkroi të dielën në “Truth Social” se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasjeje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë. Trump akuzoi pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta”.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. (A2 Televizion)