Kurti: Do të bëjmë çmos për konstituim të Kuvendit

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 14:43 | Politikë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se do të bëjë çmos që legjislatura e nëntë të konstituohet para javës së fundit të korrikut, kur edhe përfundon afati tridhjetë ditor i paraparë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kurti, pas takimit me Osmanin, që zgjati mbi dy orë, tha se angazhimi i tij do të jetë në frymën e bashkëpunimit me konsultime dhe idenë e kompromisit me parti politike për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend dhe formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, përcjell A2 CNN.

“Në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet të kemi konstituimin e legjislaturës së nëntë. Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve të dendura dhe konstruktive. Gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit të realizojmë këtë gjë dhe pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet Kuvendit”, tha Kurti.

Megjithatë, ai tha se do të shohin sa është bërë përparim pas përfundimit të takimeve të tjera që presidentja Vjosa Osmani i ka me përfaqësuesit e partive politike. Përkitazi me këtë, ai nënvizoi se duhet t’i jepet shansi edhe takimeve të tjera dhe në fund të shihet se cili është progresi për tejkalimin e ngërçit në Kuvend dhe formimin e qeverisë së re.

“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendëm të gjitha elementet dhe tash zonja presidente do të ketë takime me përfaqësuesit e tjerë të partive politike dhe në fund mund të shohim a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm. Besoj se duhet t’i japim shansin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim se cili është progresi”, tha Kurti.

Krahas Kurtit, presidentja Osmani do të presë të mërkurën në takim edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos