40 dështime për konstituimin e Kuvendit, Osmani thërret partitë politike për konsultime

Nga Rosalba Bejdo
1 Korrik 2025, 15:31 | Politikë

Edhe pse Gjykata Kushtetuese u kërkon deputetëve të Kosovës të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, ata kanë dështuar për herë të 40-të të gjejnë një rrugëzgjidhje për ngërçin institucional. Partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë vijojnë të refuzojnë ngritjen e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryetarin e ri të Kuvendit, shkruan A2 CNN.

Këto parti thonë se ndryshimi i votimit nga i hapur në të fshehtë është jokushtetues dhe argumentojnë se kështu është theksuar edhe në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Partia e Deharit, Lëvizja Vetëvendosje, jep një tjetër interpretim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke këmbëngulur se votimi i fshehtë është i lejueshëm. Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, kandidatura e së cilës për postin e kryetares së Kuvendit po kundërshtohet nga partitë e tjera, përsëriti qëndrimin se do të tërhiqet nëse nuk merr 61 vota në votimin e fshehtë.

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi në takim krerët e partive politike. Por, edhe pas dy orësh diskutimesh, nuk u arrit ndonjë marrëveshje për të dalë nga ngërçi.

Për të ofruar një zgjidhje të mundshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 30 qershor deklaroi se në ditët në vijim do të ftojë krerët e partive politike për konsultime lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit. Osmani u ka bërë thirrje deputetëve që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos