Përplasjet Rama-Kurti, Vangjeli: Shqiptarët hakërrehen dhe i nxjerrin sytë njëri-tjetrit

Nga A2 CNN
1 Korrik 2025, 22:28 | Politikë

Përplasjet Rama-Kurti, Vangjeli: Shqiptarët hakërrehen dhe i

Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, ka komentuar tensionet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, duke paralajmëruar se rivaliteti i tyre personal tashmë po reflektohet drejtpërdrejt edhe në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Duke folur pas samitit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Shkup, Vangjeli e cilësoi këtë përplasje si një “rivalitet shpesh qesharak”, por me pasoja serioze për unitetin politik të shqiptarëve jashtë kufijve.

“Do të doja shumë që gurin e parë ta kishte hedhur Rama, por në fakt ambicia e Kurtit dhe provincializmi i tij i skajshëm e kanë nxjerrë në pah këtë rivalitet edhe brenda partive politike shqiptare në Maqedoni”, tha Vangjeli.

Sipas tij, ky tension nuk është vetëm çështje simbolike mes dy figurave kryesore politike, por mund të ndikojë realisht në rezultatet zgjedhore të ardhshme: “Më besoni, është shumë më i thellë sesa duket. Mund të shohim një kulm tjetër në zgjedhjet lokale që po afrojnë, ku komuna me shumicë shqiptare rrezikojnë të humbasin sepse maqedonasit dinë të bëhen bashkë, ndërsa shqiptarët hakërrehen dhe i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.”

Deklarata e Vangjelit vjen në një moment kur partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut po përballen me tensione të brendshme dhe fragmentim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos