Para fillimit të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup p, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se në darkën e mbrëmshme me liderët rajonalë dhe përfaqësuesit e unionit evropian kanë diskutuar për Planin e Rritjes së BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një deklaratë për mediat maqedonase ai tha se në Shkup, pas funksionalizimit të kontrollit të përbashkët të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në pikat Han i Elezit-Bllacë dhe Glloboçicë-Jazhincë.
“Ne kemi pasur një darkë paraprake mbrëmë, ku kemi diskutuar për Planin e Rritjes. Për mua është kënaqësi të vij në Shkup sidomos tash që kemi pikat e përbashkëta të kontrollit Han i Elezit-Bllacë dhe ajo Glloboçicë-Jazhincë. Këto janë rezultat i marrëveshjeve të përbashkëta që i kemi bërë me qeverinë Mickoski me datën 18 nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona. Gjithmonë kënaqësi të vij në Shkup”, tha ai.
Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.
Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.
Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën në vlerë prej 61 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani. Kjo situatë, sipas njohësve të integrimeve evropiane, nëse vazhdon edhe më tutje, do të rrezikojë marrjen e këtyre fondeve. (A2 Televizion)