Sipas vendimit aktual, deri më 8 gusht Kuvendi nuk ka të drejtë të mblidhet, pasi paraprakisht kishte konsumuar 54 herë mundësinë për të konstituuar legjislaturën e nëntë. Njohësit e çështjeve kushtetuese shpresojnë që Gjykata Kushtetuese të sjellë jo vetëm një vendim të shpejtë, por edhe të qartë, ndryshe rrezikohet një krizë e rëndë.
“Përtej diskursit politik, besoj që Kosova ka hyrë në një krizë e cila nuk është më vetëm kushtetuese e politike, por edhe drejtpërdrejt me pasoja ekonomike dhe sociale. Në një situatë të tillë, vendi rrezikon që, përkundër masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, pas skadimit të këtij afati ose në rast të një vendimi të paplotë, të hyjë në një krizë më të thellë – atë se si do të veprohet tutje,” tha Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shkruan A2 CNN.
Në vendimin e parë, Kushtetuesja i dha Kuvendit afat 30-ditor për konstituim, por gjatë kësaj kohe deputetët asnjëherë nuk votuan për ndonjë kandidat për kryeparlamentar – por vetëm për ngritjen e një komisioni për votim të fshehtë. Sipas njohësve, kjo mund të jetë subjekt i interpretimit nga Kushtetuesja, e cila mund të përcaktojë nëse afati konsiderohet i konsumuar apo jo.
“Gjykata ka precizuar që një kandidat mund të dështojë dhjetëra herë dhe vendi nuk shkon në zgjedhje. Por, kur dështimi tejkalon afatin 30-ditor, unë besoj që kjo është pjesa ku gjykata duhet të sqarojë dhe të përcaktojë që vendi shkon në zgjedhje – qoftë me dekret të Presidentes, apo në këtë rast me aktgjykim që do të përcaktonte një gjë të tillë dhe që do të ndiqej si precedent,” tha Cakolli.
Një tjetër sqarim që pritet nga Kushtetuesja është edhe sjellja e kryesuesit të seancës konstituive, i cili – sipas ekspertëve – nuk ka të drejtë t’i shmanget rendit të ditës të dakorduar mes partive para seancës së parë. Në rastin konkret, Avni Dehari është akuzuar se ka ndryshuar rendin e ditës kur hodhi në votim komisionin për votim të fshehtë, ndonëse kjo mënyrë votimi nuk ishte dakorduar në takimin e mbajtur më 8 prill.
Në rast se Gjykata nuk jep një vendim deri më 8 gusht, mundësitë janë që masa e pezullimit të vazhdojë.
“Pas datës 8 gusht dhe deri më 8 gusht nuk do të ketë mbledhje të Kuvendit, as takime apo vendimmarrje të tjera. Mirëpo, pas datës 8 gusht, vetëm nëse gjykata nuk do ta ketë gati vendimin, gjasat janë të mëdha që ajo të vendosë edhe një herë masë të përkohshme për një periudhë tjetër – derisa të dalë vendimi.”
Sipas njohësve, Kushtetuesja vendosi për masën e përkohshme pasi nuk dëshiron të lejojë që deputetët të shkelin Kushtetutën ose të ndërmarrin ndonjë veprim pa u trajtuar në baza meritore kërkesat e PDK-së, LDK-së dhe Presidentes Vjosa Osmani në lidhje me ngërçin institucional. (A2 Televizion)