Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka kritikuar Qeverinë në detyrë të Kosovës lidhur me pagesat për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që gjenden në paraburgim në Hagë.
Kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se i është drejtuar ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për këtë çështje, por nuk ka pranuar përgjigje.
Ai tha se para dy vjetësh e gjysmë, Qeveria e Kosovës ka bërë ndryshime sa i përket mbështetjes financiare për të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke vendosur në çmim tavan për mbrojtjen.
Gucati, që e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe gabim të madh, tha se për shkak të pagesave, veçse janë larguar disa avokatë, duke përmendur mbrojtësin e Kadri Veselit, dhe dy avokatë të Hashim Thaçit.
“Ajo [Qeveria e Kosovës] ka marr; një çmim tavan për të paguar mbrojtjen dhe nuk jep para shtesë, siç ka qenë para katër vjetësh. Para katër vjetësh ka qenë çmimi jo i limituar, sa e ka pasur orën mbrojtja, aq e ka paguar Qeveria”, tha Gucati, duke akuzuar Qeverinë se nuk “po e kthen kokën” nga njerëzit që gjenden në Hagë.
Ditë më parë u raportua se për shkak të çështjes së pagesave mund të largohen avokatë që po mbrojnë të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Por, Ministria e Drejtësisë doli me një reagim duke thënë se që nga nisja e procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, janë realizuar pagesa të rregullta, në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht.
"Nga fillimi i procesit në total janë paguar 32.944.287.77€. Nga kjo shumë, për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5.353.301.02 €”, tha MD-ja.
MD-ja kishte reaguar për çështjen e pagesave të avokatëve kur Ben Emmerson, që mbronte Kadri Veselin, u largua nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës më 2024.
MD-ja atëbotë tha se personat që tërhiqen nga detyra e tyre "mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por paga e ulët nuk është një prej tyre".
Aktualisht, në Gjykatën Speciale po zhvillohen disa raste, përfshirë edhe gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./ REL (A2 Televizion)