Votimi fizik në ambasada, numërimi i votave në qendrat komunale të numërimit dhe votimi për 10 kandidatë.
Këto janë vetëm disa nga praktikat e reja që u vendosen me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme e që u implementua për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, shkruan KosovaPress.
Por, a ja vlejtën këto ndryshime? KQZ-ja ka në rend dite shpalljen e rezultateve. Instituti Demokratik i Kosovës konsiderojnë se Ligji i ri për zgjedhje nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret në administrimin e procesit zgjedhor. Sipas hulumtuesit Vullnet Bugaqku, KQZ-ja ka dështuar me administrimin e procesit të numërimit të votave për kandidatë, shkruan A2 CNN.
“Ne jemi dëshmitarë që këtë vit kur kemi pasur zgjedhjet e rregullta parlamentare, ndryshimet e reja ligjore nuk është se kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret ose nuk është nxjerrë ndonjë efikasitet i KQZ në administrimin e procesit zgjedhor, sidomos në adresimin e procesit të numërimit të votave për kandidatë në Qendra Komunale dhe QNR. KQZ-ja, ka dështuar të administrojë procesin e numërimit të votave për kandidatë dhe jemi dëshmitarë që është paraqitur një fenomen që pavarësisht ndryshimeve ligjore që ne mund t’i prodhojmë, nëse procesi i numërimit kalon nëpër duar fizikisht të komisionerëve, domosdo po manifestohet manipulimi apo dyshimet mbi manipulimin e rezultateve, qoftë e partive politike, qoftë edhe të kandidatëve për deputetë”, thotë Bugaqku.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se pas përfundimit të gjithë procesit, do të analizohen edhe ndikimet e ndryshimeve ligjore.
“Pas çdo procesi zgjedhor, KQZ-ja diskuton dhe analizon ecurinë e organizimit të të gjithë procesit zgjedhor, në mënyrë që të bëhen përmirësimet e duhura aty ku ka pasur lëshime. Gjithashtu, si institucion që zbaton Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të analizohen edhe ndikimet e ndryshimeve ligjore në raport me aspektet organizative të procesit zgjedhor”, thotë ai.
Elezi shton se KQZ-ja ende nuk e ka koston përfundimtare, pasi procesi nuk është përmbyllur ende.
“Ne ende mund të flasim vetëm për buxhetin e planifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për organizimin e procesit zgjedhor, i cili është në vlerën e më shumë se 8 milionë e 700 mijë euro. Zgjedhjet nuk janë përmbyllur ende, çka do të thotë se për të ditur saktë se sa do të kushtojë organizimi i të gjithë këtij procesi zgjedhor, duhet të presimin përfundimin e tij dhe të gjitha procedurat tjera”, shton Elezi.
Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme - i miratuar në mesin e vitit 2023 - mundësoi që për herë të parë të votohen 10 kandidatë nga 5 sa ishte në të kaluarën. Për herë të parë, gjithashtu, u organizua votimi fizik në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, në 19 shtete, si dhe votimi me postë në kuti postare të hapura nga KQZ-ja në 22 shtete të ndryshme të botës.
Zgjedhjet në Kosovë - të parat të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008, janë mbajtur më 9 shkurt, pas një fushatë zgjedhore që zgjati një muaj. (A2 Televizion)