Vijon kriza në Kosovë, "NISMA" paralajmëron marrëveshje me Kurtin

Nga Erjon Dervishi
17 Korrik 2025, 14:59 | Politikë

Vijon kriza në Kosovë, "NISMA" paralajmëron

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kanë dështuar të konstituojnë kuvendin. Dështimi vjen edhe pas afatit të dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës deri më 26 korrik.

Midis kësaj ngecjeje të vazhdueshme, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

Ajo tha se çështje e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pasi vendosi flamurin kombëtar në foltore të Kuvendit tek hapësira e Grupit Parlamentar të LVV-së, tha se duhet të punohet ditë e natë që “t’i hiqet maska” kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se e gjithë Kosova është lodhur nga situata aktuale. Ai deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti me vetëdije po e mban situatën peng, siç shtoi ai, nuk ka arsye tjetër që të mbahet 48 herë seancë për konstituim të Kuvendit.

Kjo është hera e 48-të që deputetët u mblodhën, që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues. Partitë që deri tani kanë qenë në opozitë, edhe kësaj radhe kanë mbajtur fjalime në sallën plenare, pas dështimit të seancës konstituive për herë të 48-të. PDK, LDK dhe AAK akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje për krizën politike në vend, derisa thanë se Albin Kurti po punon kundër shtetit të Kosovës.
(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos