Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Lajmin e dha vetë ai përmes një konference të jashtëzakonshme për media pasditen e së mërkurës, shkruan A2.
Krasniqi deklaroi se një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes.
Ai tha se se këtë vendim e kishte marrë më herët, por për shkak të zhvillimeve me mungesën e institucioneve ishte detyruar të priste.
“Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim më i gjatë i imi mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Është nevoja për të krijuar një momentum dhe një mundësi të re për familjen tonë politike. Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për të qenë kryeministër i vendit në zgjedhjet e ardhshme, unë konsideroj se kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetar i partisë”.
Ish-kandidati për kryeministër i PDK-së në zgjedhjet e shkurtit, Bedri Hamza, shihet si figura më e përshtatshme për të marr drejtimin e partisë: “Nëse miku im, Bedri Hamza, kandidon për të qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ai e ka mbështetjen time të plotë sepse besoj në lidershipin e tij dhe besoj që është figura e cila mund t’i prijë Partisë Demokratike në fazën e ardhshme”.
Kryetari në largim i Partisë Demokratike tha se nuk është konsultuar me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, dy ish-liderët e kësaj partie, që gjenden në Hagë për këtë vendim.
Pavarësisht se nga e marta nuk do të jetë më në krye të partisë, Krasniqi tha se do të mbetet pjesë e PDK-së dhe do të angazhohet për të larguar Albin Kurtin nga pushteti: “Unë këtu vazhdoj me qenë, edhe zyrën këtu e kam, edhe punën këtu e bëj, edhe angazhimin e kam me fitu zgjedhjet dhe me heq Albin Kurtin prej Qeverisë”.
Memli Krasniqi e mori drejtimin e partisë në korrik të vitit 2021 dhe u rizgjodh në qershor të këtij viti. Ai udhëhoqi partinë në tre procese zgjedhore, dy zgjedhje lokale dhe në zgjedhjet parlamentare të shkurtit. (A2 Televizion)
