Të enjten presidentja Vjosa Osmani mbështeti deklaratat e saj për vlerësimin e homologut amerikan, Donald Trump, se ndaloi Serbinë të niste një luftë kundër Kosovës. Madje tha se në fund të majit ka pasur lëvizje serioze të ushtrisë së Serbisë në kufirin me Kosovën dhe i doli në krah ministrit të mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që u kritikua për këtë deklaratë të dhënë në Ditarin e Kosovës të A2CNN.
“Ai [ministri Maqedonci] u sulmua ashpër pikërisht pse informoi publikun për këto rreziqe e tash janë pikërisht ata që e sulmuan që thonë pse nuk na keni informuar”, tha Osmani.
“Diku 70 për qind e gjithë kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës, jo larg kufirit, dhe kësaj normal duke i shtuar edhe 48 bazat e përparme që gjithmonë ne vlerësojmë që paraqesin kërcënim, kur fqinji vendos forca ushtarake në kufi në një formë apo tjetër kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi. Kjo nuk po bëhet rastësisht”, tha Ejup Maqedonci, ministër i mbrojtjes në detyrë i Kosovës (27 maj 2025).
Lidhur me deklaratat e presidentes Osmani dhe komentin e saj mbi të kuptuarit të fjalëve të kreut të Shtëpisë së Bardhë mbi parandalimin e konfliktit, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka disa kritika.
“Unë mendoj që është një deklaratë e papjekur, sepse nuk mundet shefi i një shteti të flasë në emër të një shteti të tretë, sado mik që të jetë ai. Izraeli nuk flet në emër të Amerikës, edhe pse janë aleatët më të ngushtë. Apo shikoni Francën, Gjermaninë, Britaninë – asnjëra nuk flet në emër të tjetrit, pavarësisht aleancave. E dyta, ajo deklaratë i shkon për shtat palës serbe, sepse zonja Osmani dhe qeveria, duke e zhvendosur diskursin publik pothuajse 90% të kohës te lufta dhe çështjet e sigurisë, po e paraqesin Kosovën si një problem sigurie, në nivel me Republikën Serbe. Kjo sjellje, fatkeqësisht, shihet edhe në mënyrën se si vizitat ndërkombëtare bëhen: Serbi, Kosovë, Republikë Serbe – si të ishin të një rangu”, tha Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Duke folur për KosovaPress, Hasani vlerëson heshtjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbi komentet e vazhdueshme të Trump.
“Po, është një përgjigje e mençur. Pikërisht kështu duhet vepruar. Në çështjet e sigurisë, ajo që ka thënë kryeministri Kurti është e saktë, sepse nuk mund të flasësh në emër të një presidenti të një vendi tjetër, sado mik që të jetë ai për ty. Është tërësisht e papjekur”, u shpreh Hasani.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese shton se Trump po e përmend Kosovën dhe se ndaloi Serbinë për shkak të rolit të Shteteve të Bashkuara në sigurinë globale. (A2 Televizion)