Në prag të seancës së re për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Presidentja Osmani takim me Fatmir Limaj

Nga A2 CNN
18 Korrik 2025, 16:51 | Politikë

Në prag të seancës së re për konstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar të premten takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pak para seancës parlamentare të së shtunës për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.

“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Palët janë takuar një ditë pasi deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë Izmaku për gazetarë.

Sipas saj, temë e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.

Osmani ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet brenda këtyre ditëve.

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja Osmani është cituar të ketë thënë se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe e ka potencuar rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit.

Situata është bllokuar pasi Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos