Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen për të trembëdhjetën herë me radhë në Kuvendin e Kosovës, për të vazhduar seancën konstituive të përbërjes së re parlamentare.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00. Deri më tani ka përfunduar vetëm dy raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimi i deputetëve, ndërsa ka dështuar zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare për 12 herë radhazi.
Procesi ka ngecur në pikën e tretë, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e cila është kyçe për hapat e mëtejshëm drejt formimit të institucioneve të reja.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për krijimin e një qeverie tranzicionale dhe unifikuese, duke ftuar partitë parlamentare shqiptare në një tryezë të përbashkët. Por, kjo ide nuk është mbështetur nga kryeministri aktual dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Përplasjet politike dhe mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet partive kanë bërë që Kuvendi të mos arrijë të konstituohet që nga 15 prilli. Sipas rregullores, seanca mund të ndërpritet dhe të vazhdojë brenda 48 orëve, pa kufizim në numrin e herëve, derisa të kompletohet konstituimi i plotë i Kuvendit.
Zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve do t’i hapte rrugë propozimit të mandatarit për formimin e Qeverisë së re, çka i takon Vetëvendosjes si fituese e zgjedhjeve. (A2 Televizion)