Osmani mblodhi liderët, takime pa marrëveshje, partitë nuk lëvizin nga qëndrimet

Nga Ideal Gola
2 Korrik 2025, 19:57 | Politikë

Presidentja Vjosa Osmani priti liderët e partive më të mëdha politike parlamentare gjatë ditës së mërkurë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional të krijuar.

Takimi me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, zgjati mbi dy orë. Vetë kryeministri në detyrë tha se i diskutuan të gjitha mundësitë që konstituimi të ndodh brenda afatit 30 ditor të Kushtetueses.

“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura e konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet kuvendit të ri të Republikës”, tha Albin Kurti.

Partia Demokratike paralajmëroi se institimi i Vetëvendosjes për votim të fshehtë është antikushtetues dhe do t’i drejtohen për këtë çështje Gjykatës Kushtetuese.

“Për PDK-në është e qartë këto qëndrime ia shpreha edhe presidentes, që aktgjykimi e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit sepse e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e rendit të ditës”, deklaroi kreu i PDK, Memli Krasniqi.

Edhe Lidhja Demokratike mund t’i drejtohet Kushtetueses për faktin se nuk zbatohen aktgjykimi i saj në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

“Në qoftë se Gjykata Kushtetuese nëpërmjet paragrafit 187 thotë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet sipas praktikave parlamentare deri sot, ne i dimë si janë praktikat parlamentare. Takimet janë të mirëseardhura, përfshirja e presidentes është e mirëseardhur, ajo në fund të fundit është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve”, shtoi Abdixhiku.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që të kthehet votimi i hapur dhe të ketë diskutime për një kandidat konsensual.

“Situata është bukur e rëndë, ne kemi shpresuar që pas vendimit të gjykatës do ta shfrytëzojë mundësinë Vetëvendosja për të ndryshuar praktikën, për ta kthyer në votim të hapur. Ne kemi shpresuar se do të mbërrimë edhe te një kandidat konsesual që do t’ia japim votën”, tha Haradinaj.

Gjatë ditëve në vijim presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësuesit e partive të tjera parlamentare.

Seanca konstituuive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill por ka ngecur në pikën kur duhet të zgjidhet kryeparlamentari.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos