PDK dhe AAK: Kërkesa e Osmanit për Kushtetuesen i jep kohë Vetëvendosjes

Nga A2 CNN
23 Korrik 2025, 12:06 | Politikë

PDK dhe AAK: Kërkesa e Osmanit për Kushtetuesen i jep kohë

Disa deputetë të partive opozitare në legjislaturën e kaluar të Kosovës e kanë konsideruar të vonuar kërkesën e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për sqarim lidhur me atë se çfarë do të ndodhë pas datës 26 korrik, në rast se deri atëherë nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Osmani ka kërkuar gjithashtu një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit - afat ky që ka filluar të llogaritet nga 26 qershori, data kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se kërkesa e presidentes për masë të përkohshme është e gabuar, pasi i jep më shumë kohë Lëvizjes Vetëvendosje - partisë më të madhe në Kuvend - për të vazhduar bllokimin e institucioneve të Kosovës.

“Presidentja është dashur shumë më herët t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, pasi që kemi kaluar një kohë shumë të gjatë. Kemi humbur muaj të tërë dhe ende nuk po arrijmë të gjejmë një zgjidhje”, tha Qalaj.

Në të njëjtën frymë u shpreh edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se situata nuk është e mirë.

Ai shtoi se vendimi i Osmanit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese i jep Vetëvendosjes edhe disa ditë kohë për bllokadën.

Haradinaj shfaqi shpresën që Kushtetuesja të mos vonojë me vendimet e saj.

Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, megjithatë, tha pas seancës se kërkesa e presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese e ndihmon procesin jo vetëm për konstituimin e Kuvendit, por edhe për të ardhmen.

Pavarësisht dhjetëra përpjekjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo nuk ka kaluar në votim të hapur.

Vetëvendosje insiston që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por opozita e konsideron atë të papranueshme dhe jokushtetuese.

Në mes të këtij ngërçi politik, Gjykata Kushtetuese ka vendosur më 26 qershor që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, por nuk ka sqaruar se çfarë ndodh në rast të mosrespektimit të këtij afati.

Katër ditë para skadimit të afatit, më 22 korrik, presidentja Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarime shtesë dhe një masë të përkohshme për pezullimin e afati 30-ditor./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos