VV-PDK gati për zgjedhje të dyfishta, presidentja konsultohet me partitë, votohet në mesin e tetorit

Nga A2 CNN
4 Qershor 2025, 20:35 | Politikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një tryezë konsultuese me partitë politike në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

Një vendim zyrtar do të merret në ditët në vijim, në përputhje me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, njofton vetë presidenca, pasi zonja Osmani dëgjoi propozimet e përfaqësuesve të subjekteve politike. Thuajse të gjitha partitë kërkojnë që zgjedhjet lokale të mbahen sa më parë të jetë e mundur. Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, përmendi 5 tetorin si datë të preferuar, shkruan A2 CNN.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, mesi i tetorit është i përshtatshëm. E pyetur nga A2 CNN nëse në këtë tryezë është biseduar edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, zonja Haxhiu dha këtë përgjigje: “Ishte një ide që të shpallim zgjedhje të dyja edhe ato lokale dhe ato të jashtëzakonshme”.
Ndërsa për kryetarin e PDK, afatet kushtetuese nuk e mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të dyfishta në tetor.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021. Shumica e komunave janë fituar nga LDK, pasuar nga Vetëvendosje, PDK dhe më pas AAK.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos