Zgjedhjet lokale, Osmani pritet të shpallë datën, Kurti mungon në negociata

Nga A2 CNN
4 Qershor 2025, 17:33 | Politikë

Zgjedhjet lokale, Osmani pritet të shpallë datën, Kurti mungon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të caktojë datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend. Kjo deklaratë vjen pas takimit që zhvilloi me përfaqësues të partive politike, ku u diskutua rreth organizimit të këtij procesi zgjedhor.

Takimi u mbajt në mungesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndërsa kjo parti u përfaqësua nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Gjithashtu, mungesë të patën edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë më të madhe që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë.

Pas takimit, Haxhiu deklaroi se janë përmendur disa data të mundshme për zgjedhjet, konkretisht 5, 12 ose 19 tetori, si më të mundshmet për mbajtjen e procesit zgjedhor lokal.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021, ku Lidhja Demokratike e Kosovës doli forca e parë politike, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Diskutimet për zgjedhjet lokale vijnë në një kohë të ndjeshme politike për vendin. Kosova ende nuk ka arritur të formojë një Qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025. Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet për të 26-tën herë më 4 qershor, duke lënë vendin në një krizë të zgjatur institucionale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos