Partitë politike në Kosovë nuk arritën të zhbllokojnë ngërçin institucional, teksa edhe seanca e dytë për konstituimin e Kuvendit të ri dështoi.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit politikë, por më vonë tha se nuk ka konsensus se si të vazhdohet tutje dhe se seanca do të vazhdojë më 19 prill në orën 12:00, shkruan A2.
PDK, LDK dhe AAK, të cilat këmbëngulin që anëtarët e kabinetit në detyrë të mos vazhdojnë më punën në ekzekutiv pas dorëheqjes, fajësuan Lëvizjen Vetëvendosje se me ndërprerjen e seancës po tenton të blejë kohë për pazare politike. Sipas tyre, partia e Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e qeverinë.
Deputetët e LDK dhe PDK pretendojnë se ka pasur një skenar për seancën e së enjtes nga Vetëvendosje me qëllim të zvarritjes së pazareve dhe se shenjat ishin parë që në fillim. Sipas tyre, tekstet e betimit nuk ishin të vendosura para deputetëve, pasi Vetëvendosje e kishte vendosur ta pamundësonte këtë.
Ndërkohë, partia Vetëvendosje e Kurtit vazhdon t’i mëshojë idesë se kërkesa për dorëheqje është e pakuptimtë.
LVV fajësoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në duke argumentuar se duhen opsione të tjera se si të vazhdohet përpara.
Kjo është seanca e dytë konstituive që dështon, pasi të martën deputetet e partive opozitare nuk miratuan raportin për verifikim të mandateve me pretendimin se anëtarët e qeverisë duhet të kishin dhënë zyrtarisht dorëheqjen. (A2 Televizion)