Ndërkombëtarët reagojnë në mbrojtje të Gjykatës Supreme të Kosovës pas shfuqizimit të vendimit të ministrit në detyrë të financave, Hekuran Murati, lidhur me arkat fiskale.
Shefi i misionit të Bashkimit Europian, Aivo Orav, përmes rrjetit social X, thekson se sulmet ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme. “Shefat e Misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Sulmet ndaj gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme”, shkruan diplomati europian.
Gjithashtu edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e mbështeti këtë qëndrim. “Është më e pakta që i duhet këtij vendi në këtë situatë politike tashmë të vështirë”, shkruan diplomati gjerman në Kosovë.
Kurse misioni i OSBE-së, përmes një reagimi zyrtar, thekson rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit.
(A2 Televizion)