Vendimi i supremes, PDK dhe LDK: Kurti ka zaptuar kryeministrinë, të largohet

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 19:37 | Politikë

Vendimi i Gjykatës Supreme që hodhi poshtë një udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave për arkat fiskale me arsyetimin se ishte firmosur nga një person i paautorizuar, duke iu referuar ministrit në detyrë Hekuran Murati ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës iu drejtua Prokurorisë Speciale për të dorëzuar vendimin e Supremes si dëshmi shtesë se ushtrimi i funksioneve nga kryeministri dhe ministrat që janë njëkohësisht edhe deputetë është shkelje e rëndë kushtetuese dhe ligjore.

Në muajin maj, LDK bëri 17 kallëzime penale për Kurtin dhe ministrat që edhe pas certifikimit të rezultateve më 27 mars ushtrojnë funksione ekzekutive.

“Ish-kryeministri Kurti dhe ish-ministrat e tjerë që janë certifikuar si deputetë në mars nga ana e KQZ-së nga 27 marsi e deri më sot fatkeqësisht duke vazhduar ende kanë zaptuar qeverinë, kanë zaptuar kryeministrinë dhe kanë zaptuar të gjitha ministritë ku ata vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme, jashtë kushtetuese si kryeministër në detyrë dhe ministra në detyrë kur në fakt janë vetëm deputetë të certifikuar”, shprehet Besian Mustafa.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive për t’ua deleguar ato zëvendësve të tyre.

PDK tha se mund të bëjnë edhe ata një kallëzim penal në rast se nuk zbatohet ky vendim i Supremes.

“I bëj ftesë Prokurorisë së Kosovës që të bëjë gjithçka që ky vendim të implementohet. Nëse ky vendim sot e tutje nuk implementohet individët, ministrat dhe kryeministri në këtë rast konsumojnë vepër penale 'moszbatimi i vendimit gjyqësor' dhe tani është detyrë e prokurorisë që të sigurohet që zbatimi i këtij vendimi të ndodh në përpikëri”, deklaroi Përparim Gruda.

Gjykata Supreme e Kosovës tha se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos