Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar planin 15-pikësh për Qeverinë e Unitetit. Në konferencë për media, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku tha se klasa politike duhet ta pranojë që vendi është në krizë politike, se nuk ka shumicë parlamentare dhe se ka urgjencë.
“Pika e parë është funksionalizimi i institucioneve kushtetuese dhe de-partiakizimi i tyre. Në këtë pikë do të dakordoheshemi që të përmbyllim zgjedhjen e vendeve vakante në të gjitha institucionet e pavarura dhe kushtetuese që presin votimin e Kuvendit të Kosovës dhe këtu më lejoni të ju them që ka një urgjencë bazike në vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila nëse vazhdon kriza politike në Kuvendin e Kosovës për një periudhë të gjatë mund të rrezikojë edhe paralizimin e saj”, tha Abdixhiku, raporton A2 CNN.
“Rritja e pagave për mësimdhënësit, profesionistët shëndetësor, punonjësit e sigurisë dhe administratës shtetërore, duke rikthyer dinjitetin institucional të shërbimit publik do të jetë prioritet i periudhës kalimtare të qeverisë së unitetit. Pikë e tretë me të cilën do të merreshim gjithë bashkërisht, do të ishte pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike. Në fokus të veçantë të qeverisë do të jetë miratimi i një pakoje gjithëpërfshirëse për përballimin e krizës energjetike pas rritjes së faturave të energjisë elektrike dhe pas pritjeve për rritje të mëtutjeshme në vjeshtën e këtij viti si dhe heqja e TVSh-së për çdo faturë të energjisë elektrike. Pika e pestë dhe shumë e rëndësishme, besoj më e rëndësishmja ka të bëjë me rindërtimin e partneritetit me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rikthimin e politikës së jashtme aktive”.
“Kthimi i besimit politik me BE-në dhe ShBA-të përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore në funksion të heqjes fillimisht të masave ndëshkuese dhe rivendosjes së marrëdhënieve strategjike me aleatët euro-atlantik është prioritet i qeverisë së unitetit. Në këtë drejtim do të përgatitet një platformë unike e gjitha partive politike shtetërore për dialogun me Serbinë, e ndërtuar mbi dakordimin e brendshëm politik fillimisht dhe në koordinim me aleatët ndërkombëtar, duke vënë në fokus kushtetutshmërinë e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e plotë të Republikës së Kosovës”, shtoi ai. (A2 Televizion)