
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama, ka ushtruar sot të drejtën e votës në Fakultetin Ekonomik. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Pas votimit, Rama tha se dita e sotme është e rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit dhe për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e pjekurisë demokratike që qytetarët kanë treguar gjatë procesit zgjedhor.
Ai falënderoi gjithashtu mediat për punën profesionale gjatë zgjedhjeve, duke uruar që procesi të përfundojë me qetësi dhe dinjitet.
“Sot, pak më parë, bashkë me Kristalen dhe fëmijët isha me tregua respekt për ushtarët britanez që kanë dhënë jetën për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë në kryeqytet e në gjithë Kosovën. Ju urojë të gjithë qytetarëve për pjekurinë dhe maturinë që kanë treguar gjatë këtyre zgjedhjeve. Uroj që më i miri të fitojë. Të fitojë zhvillimi, progresi, një ardhmëri e ndritshme për kryeqytetin tonë, për vendin tonë. Në të njëjtën kohë i falënderoj të gjithë juve, mediat për një punë të shkëlqyeshme që e keni bërë. E në priftë e mbara së bashku të gjithëve…Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, zgjedhjet e sotme nuk e definojnë vetëm të ardhmen e afërt të kryeqytetit, sot këto zgjedhje definojnë edhe të ardhmen e të gjithë vendit. Prandaj, është me rëndësi të madhe që qytetarët të votojnë kahjen e duhur për vendin tonë”, theksoi Rama.
Të drejtë vote në Prishtinë kanë mbi 222 mijë qytetarë. Ndërkaq, jashtë Kosovës të drejtë vote për raundin e dytë zgjedhjeve kanë mbi 1700 qytetarë.
Në Prishtinë gara në këtë balotazh për zgjedhje lokale po zhvillohet mes Përparim Ramës të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Hajrulla Çekut të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sot gara për kryetarë komunash zhvillohet në 18 komuna të Kosovës.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672 votues. (A2 Televizion)
