Rama: Dera evropiane u hap, kur dyert e shtëpive tona janë mbyllur

Nga A2 CNN
24 Mars 2020, 16:43 | Politikë
Rama: Dera evropiane u hap, kur dyert e shtëpive tona janë mbyllur

Kryeministri Edi Rama reagoi pas lajmit se ministrat për Evropën kanë arritur marrëveshjen për të çelur bisedimet me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Më në fund, se u bënë bajat. Shty e shty e sajo lloj-lloj vicklash. Shqipëria nuk do të humbë asnjë betejë, as betejën me virusin e paragjykimit të vendeve evropiane, as atë me virusin e ri që po i bën zbor gjithë botës. Dera u hap më në fund, në një kohë kur dyert e të gjitha shtëpive tona janë të mbyllura. Ky i sotmi është një lajm i bukur, edhe pse i vonuar. Ne nuk kemi humbur asnjë ditë, por kemi punuar duke bërë detyrat e shtëpisë, njësoj sikur ta kishim marrë “PO”-në më përpara. Nuk do të ndalemi në plotësimin e çdo detyre derisa të hyjmë në shtëpinë e Bashkimit Evropian”, deklaroi Rama nëpërmjet një video në Facebook.

Kryeministri shtoi se në mendjen e tij ka vetëm një festë: “Sot, ka vetëm një festë në mendjen time: festa e çlirimit nga armiku i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht. Mendoj vetëm për atë ditë kur do të mposhtim këtë armik falë rezistencës sonë popullore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos