
Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi në qytetin e Fierit, deklaroi se qeveria e tij e meriton mandatin e tretë për të përfunduar dy betejat: rindërtimin nga tërmeti dhe kapërcimin e pandemisë.
“Ne flasim sot për domosdoshmërinë e mandatit të tretë sepse për arsye që njihen, ne në fakt nuk vijmë nga dy mandate, por nga një mandat dhe nga një luftë në dy fronte, me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme. Duhet të fitojmë betejat e kësaj lufte në të dyja frontet. Duhet të fshijmë të gjitha gjurmët e tërmetit nga faqja e dheut tonë dhe do ta bëjmë deri në pranverën e ardhshme. Puna vazhdon, por të gjitha plagët duan kohën e vet për t’u shëruar”, tha Rama.
“Duhet të dalim sa më shpejt edhe nga tuneli i pandemisë, gjë që po e bëjmë me vaksinimin masiv”, shtoi kreu i qeverisë. (A2 Televizion)