
Kryeministri Edi Rama e konsideroi si një reflektim pas protestave për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, vendimin për të pranuar dorëheqjen e Sandër Lleshajt. Por, në prezantimin e Bledi Çuçit si ministër të ri të Brendshëm, u ndal tek protestat dhe përfshirjen e minorenëve tek to.
“Sigurisht që ky moment dhe ky takim i sotëm ndodhi si rezultat i një ngjarjeje. Unë dua ta nis me fundin, jo me zanafillën, për të shkuar më pas edhe te zanafilla. Kur them fundin kam parasysh shpërthimin e një proteste goxha të veçantë në llojin e vet, e cila duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë përtej faktit fatkeq që përfshihen për herë të parë të historinë tonë si komb, minorenët, fëmijët, për të luftuar brenda vetes, për qëllime të caktuara”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se në 7 vite e pak qeverisje, qeveria nuk ka shkelur kurrë të drejtën për të protestuar, madje në disa raste ka reflektuar nga protestat qytetare dhe ka vendosur në favor të tyre. Deri më sot, Policia e Shtetit nuk e ka tejkaluar kurrë të drejtën e ushtrimit të forcës gjatë protestave, tha ai, edhe pse mund të jetë i vetmi vend demokratik ku ka më shumë policë të plagosur sesa protestues: “Megjithatë, janë të gjithë dëshmitarë që edhe ndaj protestave të dhunshme të opozitës, Policia e Shtetit nuk e ka tejkaluar kurrë të drejtën e tejkalimit të forcës. Ky mbase është i vetmi vend demokratik që numërohen më shumë policë të plagosur dhe lënduar sesa protestues. Atëherë, pse Policia e Shtetit akuzohet vazhdimisht për dhunime që nuk i ka bërë dhe as ka dhënë shenja se duan t'i bëjnë? Pse abuzohet me episode të shkëputura për të bërë montazhe dhe pastaj shpërndahen në rrjetet sociale?”.
Po të mos ishte në këtë pozicion, kryeministri u shpreh se do të ishte vetë pjesë e protestës, por jo për të gjuajtur me gurë policinë: “Protesta erdhi si rezultat i një arsye jashtëzakonisht shumë të fortë, vrasja e një të riu natën, në një situate absolutisht të pangarkuar me asnjë element apo rrethanë operacioni nga një efektiv policie. Kjo është tejet tronditëse për këdo. Po të mos isha në këtë rol, do kisha dalë edhe unë në protestë, jo për të gjuajtur policinë me gurë, apo thyer xhamat. Gjëja më e natyrshme në një vend demokratik është se shoqëria mblidhet dhe reagon për të thënë se bashkësia jonë është këtu dhe po ju shikon".
Sandër Lleshaj i dorëzoi detyrën Bledi Çuçit, i cili në fjalën e tij të parë si ministër u shpreh se në përfundim të mandatit dëshiron të mbahet mend si “ministri i Brendshëm dhe jo si ministri i Policisë”. (A2 Televizion)