
“Për kuriozitetin tuaj, merrni faturën e energjisë dhe shikoni sa kilovat/orë keni konsumuar dhe ato kanë nxjerrë vlerën, llogariteni kilovatin me 9.5 lekë dhe vendoseni me 61 lekë, 610 lekë të vjetra, diferenca që del aty është ajo që paguan qeveria për 726 mijë familje dhe për 95 mijë biznese të vogla”. Kështu i këshilloi kryeministri Edi Rama pensionistët në një takim ku po u shpjegonte paketën e rezistencës sociale pas rritjes së çmimeve.
Sipas Ramës, vendimmarrja e qeverisë erdhi para se të fillonte lufta, duke u bërë mburojë financiare, pasi nëse do të kishte ardhur çmimi i energjisë me faturën e krizës, atëherë, theksoi ai, të gjithë do të ishin në rrugë. Dhembin gjërat që ndodhin se nëse do të kishte ardhur çmimi i energjisë me faturën e krizës, atëherë po që nuk do të kishte njeri që nuk do të donte të dilte në rrugë, po fakti që nuk ka ardhur nuk do të thotë që nuk ekziston, por ne kemi vënë mburojë financiare të shpjeguar edhe me shifra”.
Kreu i qeverisë theksoi se asnjë vend nuk po bën këtë që bëri qeveria shqiptare, por harroi që Maqedonia e Veriut ka marrë një sërë masash për të zbutur krizën, një ndër to është heqja e TVSH-së për produktet bazë.
“Këtë nuk e bën dhe nuk po e bën asnjë qeveri tjetër. Në Rajon e në Europë të gjithë kanë rritur çmimin e energjisë dhe ngrohjen. Kolegë të mi më thonë që është çmenduri financiare, por është çmenduri që edhe kriza e energjisë t’u faturohet njerëzve”, tha Rama.
Rama përsëriti qëndrimin e tij për protestën kundër rritjes së çmimeve dhe tha se ajo i shërben Rusisë.
“Për turp që protestoni që në ditët e para të luftës, për pasojat e luftës nëpër çmime. E përsëris që ajo protestë është turp kombëtar, nuk ka pasur Shqipëria qeveri më respektuese ndaj protestave e protestuesve. Është protestuar sa kanë dashur. Turp që protestoni, protesta i shërben Rusisë. Si mund të jemi kaq pa dinjitet, moral e logjikë, ndërkohë që qeveria po financon prej muajsh faturën e energjisë. Ajo protestë fyen kombin shqiptar në kombin e vet”. (A2 Televizion)