
Demokratët po shtojnë trysninë ndaj presidentit amerikan Donald Trump pas publikimit të raportit të shumëpritur mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-tës. Ata kërkojnë që Robert Mueller, njeriu që realizoi raportin, të dëshmojë në kongres lidhur me punën e tij.
“Fjalët dhe veprimet e Barr sugjerojnë se ai nuk ka qenë i sinqertë në deklaratën e tij se presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje. Për këtë arsye unë kërkoj zyrtarisht që prokurori i posaçëm, Robert Mueller, të dëshmojë pra kongresit për t’iu përgjigjur pyetjeve kritike”, tha Jerry Nadler, kryetar i komisionit juridik në dhomën e përfaqësuesve.
Raporti i redaktuar, i cili u publikua të enjten nga prokurori i përgjithshëm Robert Barr, zbulon se presidenti ishte përpjekur të shkarkonte Muellerin. Jam i mbaruar, mësohet të këtë thënë Trump, pas emërimit të Mueller si prokuror i posaçëm.
Liderët demokratë të kongresit, Nancy Pelosidhe Chuck Schumer thanë në një deklaratë të përbashkët se raporti paraqet një portret shqetësues të presidentit, duke e akuzuar atë për gënjeshtra dhe sjellje të pahijshme. Për ekipin ligjor të Trumpit, publikimi i raportit është një fitore totale.
Mueller shkruan në raport se nuk kishte zbuluar bashkëpunim mes Rusise dhe fushatës së Trump për zgjedhjet e 2016-tës, por ai nuk arrin në një përfundim konkret nëse presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë. Siç mësohet, Mueller kishte marrë në shqyrtim 10 episode të sjelljes së presidentit, lidhur me pretendimet për pengim të drejtësisë.
Ne raport thuhet se tentativa për të të penguar drejtësinë në hetime kishte dështuar vetëm sepse administrata e Trump kishte refuzuar të zbatonte urdhrat. (A2 Televizion)