
Pas marrjes së shkresës nga Prokuroria e Përgjithshme, KQZ është vënë në lëvizje. Drejtoria Juridike po përgatit materialet për mbledhjen e radhës, ku do të vendoset për shkarkimin ose jo të Agim Kajmakut.
Sipas ligjit të dekriminalizimit, vendimmarrja duhet të merret brenda 10 ditëve, por burime nga KQZ thonë se do të veprohet më shpejt.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Vorës, sipas socialistëve, do ta zhvillojë betejën e tij ligjore i vetëm.
“Rasti Kajmaku do të trajtohet sipas ligjit. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin e dekriminalizimit. Janë çështje që i kemi sqaruar që kur ka hyrë në fuqi ky ligj. Partia Socialiste e ka kryer detyrimin e saj ditën kur ka votuar me konsensus të plotë bashkë me opozitën ligjin e dekriminalizimit”, tha Ulsi Manja.
Demokratët ndërkohë nuk kënaqen me shkarkimin e tij, por flasin për dënim me 4 vite burg.
Agim Kajmaku pretendon që nuk është në shkelje të ligjit të dekrimalizimit. Këtë ia ka përsëritur edhe Prokurorisë së Përgjithshme në shkresën e dërguar të hënën. (A2 Televizion)