
Real Madridi mundi me vështirësi Levanten duke siguruar tri pikë të vlefshme për të mbajtur ritmin e Barcleonës dhe Atleticos në javën XXV të kampionatit spanjoll.
Dy gola me penallti, të shënuar nga Benzema dhe Bale i mjaftuan madrilenëve për të fituar takimin, ndërsa të dy skuadrat e mbyllën sfidën me nga një lojtar më pak, pas përjashimit të Rochinas dhe Nachos në minutat e fundit.
Los Blancos kaluan të parët në epërsi kur sulmuesi francez goditi saktë nga pika e bardhë pasi VAR ndihmoi arbitrin të “shihte” një prekje të topit me dorë nga Luna i Levantes. Vendasit arritën të barazonin kur Marti devijoi bukur krosimin Moralesit në të 60’. Megjithatë, 18 minuta më vonë Casemiro u pengua në zonë dhe arbitri akordoi një tjetër 11-metërsh, këtë herë të shndërruar në gol nga uellsiani Bale.
Në mesjavë, Real Madrid nis përballjen e dyfishtë me Barcelonën, duke luajtur ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, ndërsa në fundjavë luhet për tri pikët e kampionatit në “Bernabeu”. (A2 Televizion)