
Zhvillohet sot në të gjithë vendin referendumi i thirrur nga Kuvendi i 11 dhjetorit, ku do të votohet për shkarkimin e kreut aktual.
Referendumi ka nisur në orën 08:00 në të gjitha qarqet e vendit dhe do të votohet deri në orën 17:00. Komisioni i Rithemelimit ka ngritur edhe Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që do të merret me drejtimin e procesit, ku kryetare është Albana Vokshi.
Qarku i Korçës ka 9 qendra votimi, ku 2 prej tyre janë në ish-kinematë dhe 1 në qendrën kulturore të fëmijëve. Gjithsej, qarku i Korçës ka 7058 anëtarë, si dhe 9 qendra votimi.
Në Gjirokastër, janë gjithsej 1100 anëtarë demokratë me të drejtë vote në Bashkitë Gjirokastër, Libohovë dhe Dropull, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre në referendum. Janë gjithsej 4 qendra votimi që do të jenë në Pallatin e Sportit, në lokal në qendër të Lazaratit, po ashtu në një lokal në Libohovë dhe tek ish-zyra elektorale.
Në Durrës, 2700 anëtarët e kësaj partie janë ftuar në Pallatin e Kulturës të shprehin me votë vullnetin e tyre.
Dega Krujë, e cila ka rreth 700 anëtarë pritet të votojë në dy qendra votimi, një në Thumanë dhe një në Krujë, ku do votohet në ambiente të mara me qira.
Ndërsa dega e Partisë Demokratike e Fushë Krujës ka 870 anëtarë. Votimi do të zhvillohet te qendra shëndetësore e ku është dhe zyra e partisë.
Ndërsa në Dibër, qendra e votimit do të jetë në Pallatin e Kulturës.
Në rrethin e Vlorës, votohet në tre qendra në Vlorë, Himarë dhe Selenicë. (A2 Televizion)