Reforma në Drejtësi, Dervishi: Burimet njerëzore nuk ishin të mjaftueshme. Koha për reflektim dhe korrigjim

Nga A2 CNN
1 Korrik 2021, 21:52 | Politikë
Reforma në Drejtësi, Dervishi: Burimet njerëzore nuk ishin

Analisti Lutfi Dervishi, i ftuar në studion e “Absolut 4” në A2, deklaroi se koha tregoi që Shqipëria nuk kishte burimet e mjaftueshme njerëzore për të plotësuar institucionet e reja të drejtësisë.

“Në vitin 2016, mendohej që Reforma në Drejtësi do të kishte një ritëm më të shpejtë. Duket sikur 5 vite kanë kaluar shumë shpejt, që nga ajo seancë Kuvendi me entuziazëm të madh. Struktura e re e drejtësisë është e ngarkuar, me shumë institucione të reja, u ngritën pikëpyetje mbi faktin nëse i kishte Shqipëria burimet e mjaftueshme njerëzore për të plotësuar institucionet e reja. Për fat të keq, duhet thënë që kjo reformë është shtyrë më shumë nga të huajt dhe doli e qartë që burimet njerëzore nuk ishin fare të mjaftueshme”, u shpreh Dervishi.

Analisti shtoi: “Më pas, doli ideja që të formoheshin këto institucione dhe më pas të bëhej vetting-u për ta. Vërtet që duhej një shkundje, por ka edhe njolla në këtë pastrim, që janë të bujshme. Kur heq dikë për një makinë të mirë dhe kalon disa figura të “zhurmshme”, ngrihen pikëpyetje. Është koha për një reflektim dhe një korrigjim 5 vite më pas. 5 vite nuk janë shumë në jetën institucionale, por janë shumë në jetën e dikujt që ka punë me drejtësinë dhe duke mos marrë drejtësi, në këtë periudhë të ndërmjetme dalin mostrat”.

Por, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Genti Ibrahimi, tha se nuk është problemi te burimet njerëzore.

“Unë refuzoj të besoj se vendi im është një shkretëtirë sa i takon burimeve njerëzore. Ajo çka nuk kemi bërë ne siç duhet, unë mendoj se është fakti që nuk i japim shans njerëzve. Refuzoj të besoj se në korpusin e madh që është Avokatia e Shqipërisë nuk ka njerëz me integritet dhe profesionalizëm. Ne jemi mësuar me një udhëheqje paternaliste, presim udhëheqësin suprem dhe të gjitha zgjidhjet i presim prej tij. Ne duhet të emancipohemi dhe vështirësitë e reformës janë pjesërisht teknike, por kulturore kryesisht, sepse ne kemi marrë përsipër që me Reformën në Drejtësi të emancipojmë shoqërinë shqiptare, jo vetëm të zgjidhim si emërohen prokurorët dhe gjyqtarët”, u shpreh Ibrahimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos