Në kushtet e mungesës së një propozimi konkret, si nga mazhoranca edhe nga opozita e bashkuar në tryezën e Reformës Zgjedhore, është Këshilli i Europës që ndërhyn me rekomandime të posaçme, duke kërkuar ndalimin e reklamave me pagesë në media nga partitë politike.
A2 disponon ekskluzivisht dokumentin e hartuar nga ekspertët e Këshillit të Europës, dërguar në grupin e punës së Këshillit Politik, sipas të cilës, kërkohet ndryshimi i kodit elektoral, heqjen e mundësisë së reklamave nga forcat politike.
“Ndalimi i qartë i reklamave politike në media (dhe shfuqizimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor që lejojnë aktualisht reklamat e tilla), për shembull në nenin 6 ose 7”
Këshilli i Europës

Në dokumentin prej 50 faqesh, Këshilli Europës kritikon si komisionin e reformës ashtu edhe opozitën e bashkuar, sa i përket financimit të fushatave zgjedhore. Komisionit të Posaçëm, Këshilli i Europës i vë në dukje se drafti nuk përcakton shpenzimet e fushatave dhe parashikime problematike në përdorimin e burimeve publike.
“Një çështje thelbësore është se drafti i konsoliduar nuk adreson çështjen e financimit të partive politike jashtë fushatave zgjedhore”
Këshilli i Europës
Edhe tek propozimi i opozitës së bashkuar, Këshilli i Europës vëren se nuk përcakton qartë detyrimin e subjekteve zgjedhore për të paraqitur raporte të financimit të fushatës zgjedhore.
Ndërkombëtarët, duket se kanë vendosur kështu të ndërhyjnë me propozime konkrete në çështjet për të cilat palët nuk kanë treguar vullnet deri më tani. Edhe hezitimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, iu përgjigj me një propozim konkret dërguar palëve në tryezë, Ambasada amerikane, e cila sugjeronte zbatimin e sistemit elektoral të Danimarkës në Shqipëri, që parashikon lista të hapura zgjedhore. (A2 Televizion)