
Dhjetë refugjatë u arrestuan në aeroportin e Athinës pasi po përpiqeshin të futeshin në Europë duke u shtirur si lojtarë të një skuadre volejbolli që do të zhvillonte një turne.
Policia tha se ata zbritën në tokën helene me uniforma të njëjta, madje mbanin me vete edhe çanta sportive e topa volejbolli. Megjithatë, kur iu kontrolluan pasaportat, autoritetet panë se ato nuk i përkisnin atyre. Mendohet se grupi, i përbërë kryesisht nga sirianë, po shpresonte të arrinte në Zyrih me dokumente ukrainase.
Greqia është shndërruar në rrugën e preferuar të mijëra emigrantëve që përpiqen të arrijnë vendet e Bashkimit Europian dhe perëndimin. Deri tani, këtë vit, 36 mijë vetë kanë hyrë në vend përmes detit, thuajse 10 mijë më shumë se sa në Itali dhe Spanjë. (A2 Televizion)