
Mes debateve, Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi në parim projektligjin për krijimin e regjistrit të krimeve seksuale. Drafti i miratuar nuk është asnjë prej dy propozimeve të depozituara më herët në Kuvend, një nga LSI dhe një tjetër nga shoqëria civile.
Me arsyetimin se po i bashkonte dy nismat në një, socialistët paraqitën një draft të tretë të cilin edhe e miratuan. “Mundësojmë të dhënat për gjithë personat e dënuar ndër vite të mblidhen në rang kombëtar. Projektligji na jep mundësinë të dimë shpërndarjen e personave”, tha Ermonela Felaj.
Drafti i mazhornacës u kundërshtua nga dy grupet nismëtare, sipas të cilave nuk përmbushej qëllimi i propozimeve të tyre. “Nuk është qëllimi vetëm pasja e një regjistri, qëllimi është parandalimi i veprave penale. Pika kryesore është punësimi. Ndalimi i rekrutimit te personave që janë në regjistër duket të jetë i shkruar në mënyrë eksplicite në ligj. Siç kërkohet dëshmia e penalitetit të kërkohet edhe vërtetim nga regjistri”, tha Erisa Xhixho.
Ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile thanë se ligji i propozuar nuk përafron atë që ata kishin kërkuar. Demokratët kërkuan shtyrjen e diskutimeve për në sesionin e ri parlamentar, propozim ky që nuk gjeti dakordësinë e deputetëve socialistë. (A2 Televizion)