
Kryeministri Rama shkëmbeu disa batuta me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, gjatë një aktiviteti në këtë universitet, me rastin e hapjes së programit të Doktoraturës Bujqësi, Mjedis, Bioteknologji, Agrobiznes dhe Mjekësi Veterinare, në bashkëpunim me qeverinë gjermane.
“Ju falënderoj që keni vendosur ta mbyllni javën me sektorin bujqësor”, tha Sallaku, duke përgëzuar kryeministrin për rolin - sipas tij - në rimëkëmbjen e bujqësisë. “Pavarësisht faktit që nuk i keni qejf komplimentet dhe falënderimet e drejtpërdrejta, vendosa të guxoj duke përdorur një fjalë të urtë që thotë: “Mirënjohja nuk është e drejtë e atij që falënderohet, por detyrë e atij që falënderon”. Dhe unë sot e ndjej për detyrim që në emër të gjithë stafit, studentëve, t’iu falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që po i jepni Universitetit Bujqësor”.
“Është e vërtetë që nuk i kam qejf komplimentet, por nga dikush që nuk më ka dhënë votën asnjëherë, i pranoj. Më vjen shumë mirë që me rektorin dhe stafin drejtues të këtij universiteti kemi një bashkëpunim të ngushtë, shumë intensiv dhe ma ha mendja me dobi të madhe, që duket hap pas hapi, natyrisht në favor të universitetit, por edhe në mbështetje të një sektori jetik i cili është një fazë delikate”, tha Rama. (A2 Televizion)