Tenderi me vlerë 87 milionë lekë, mbetet në burg ish-drejtori i RTSH. Pyetet nga SPAK

Nga A2 CNN
28 Janar 2022, 12:18 | Aktualitet
Tenderi me vlerë 87 milionë lekë, mbetet në burg

Ish-drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, i akuzuar nga SPAK për “shpërdorim të detyrës” do të vijojë të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”. Pas më shumë se 3 muajsh izolimi në paraburgim, Gëllçi nuk ka mundur të bindë as Gjykatën e Lartë për ta liruar nga qelia, gjykatë që ka refuzuar një rekurs të bërë prej tij kundër masës së caktuar nga Apeli i Posaçëm. 

Masa e “arrestit në burg” nuk ndryshoi as për tre të arrestuarit e tjerë të së njëjtës dosjeje, tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Julian Tapia Alban Malaveci e Ervin Muraj, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”.

Ata dyshohet të kenë abuzuar me një tender të vitit 2018 me vlerë 87 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për kanalin e ri “RTSH Agro”, duke shpallur fituese një kompani që nuk përmbushte kriteret.

https://a2news.com/2021/10/08/korrupsion-ne-tendera-spak-arreston-ish-drejtorin-e-rtsh-se-thoma-gellci-dhe-3-punonjes/

Sipas SPAK, Gëllçi ka firmosur në kundërshtim me ligjin një kontratë shtesë për zgjatje afati me dy javë të dorëzimit të mallrave të blera përmes tenderit.

Për llogari të hetimit gjatë ditëve të fundit ish-kreu i RTSH, Gëllçi, është pyetur për herë të parë nga prokurorët e SPAK. Gjatë një seance disa orëshe të marrjes në pyetje, ai ka shpjeguar se nuk e kishte firmosur ai zgjatjen e afatit, por nga ana tjetër, sipas tij gjithçka ishte bërë konform ligjit. Burime të A2CNN bënë me dije se Gëllçi është pyetur edhe në lidhje me punime të kryera në antenat e RTSH në rrethe, ku ka pohuar se në çdo rast ka ushtruar detyrat e tij funksionale si titullar në zbatim të ligjit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos