Zhupa: Matura shtetërore, dështim i qeverisë, Mehmeti: Për “Turin” nuk kërkoi njeri falje dhe nxënësit u penalizuan

Nga A2 CNN
27 Janar 2022, 20:47 | Aktualitet
Zhupa: Matura shtetërore, dështim i qeverisë, Mehmeti: Për

Për deputeten demokrate Ina Zhupa Matura shtetërore është një nga dështimet e kësaj qeverie. Në studion e Debatit me Alba Alishanin, ajo akuzoi qeverinë se nuk ka çuar deri në fund asnjë reformë të suksesshme në asnjë fushë, për shkak se punohet pa plan dhe sugjeroi që kur të bëhen ndryshime ligjore të merren në konsideratë edhe propozimet e ekspertëve të opozitës.

“Ne e kemi vënë në dukje si dilte teza, si bëhej provimi si ishin pyetjet që ishin përkthime të këqija të marra nga Google. Matura Shtetërore është një nga dështimet e Ministrisë së Arsimit. Por më mirë vonë se kurrë se kanë ndryshime për të bërë si për ligjin e Arsimit dhe në të gjitha fushat ata nuk kanë çuar deri në fund një reformë të suksesshme. Bëhen gjëra pa plan pa konsulta, pa pyetur ekspertët qofshin të majtë apo djathtë apo prindërit, që kur të bëhet një ndryshim ligjor mos të kenë frikë të marrin propozimet tona”, u shpreh Zhupa.

Nga ana tjetër eksperti Ndriçim Mehmeti, duke u kthyer pas në kohë para viteve 2013, shprehet se Matura Shtetërore e asaj kohe ishte e suksesshme dhe tani ministria po i kthehet atij realiteti. Teksa sjell në vëmendje “Turin” e famshëm në tezat e provimit, Mehmeti thekson se askush nuk kërkoi falje për këtë dhe nxënësit u penalizuan.

“Më erdhi mirë për intervistën e ministres, ajo tha që do kthehemi pas disa viteve, dhe nuk tha para 2013, që është metoda më e mirë. Ku unë kam qenë vetë për një javë i mbyllur. Mua më vjen mirë që kam drejtuar seksionin e Maturës Shtetërore se ka qenë sukses dhe ne po i kthehemi këtij realitetit. Ministria mohoi atë që tha kryetarja e parlamentit për kalueshmërinë 20 %. Ministrja më kërcënoi drejtpërdrejt mua atëherë se kush e nxori testin. Por për “Turin” nuk kërkoi njeri falje, nxënësit u penalizuan”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos