Reshjet në veri, shkarkime të kontrolluara nga kaskada, liqenet larg kuotës maksimale

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2021, 16:20 | Aktualitet
Reshjet në veri, shkarkime të kontrolluara nga kaskada, liqenet larg

Rifillimi i reshjeve në veri të vendit ka rritur ndjeshëm nivelin e ujit dhe prurjet në kaskadën e lumit Drin. Për të mbajtur situatën nën kontroll, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po bën shkarkime të kontrolluara nga prodhimi dhe portat e shkarkimit nga të trija hidrocentralet.

Sipas të dhënave të KESH-it, nga HEC i Fierzës po shkarkohen në total 850 metra kub në sekondë; nga Komani 978 metra kub ujë në sekondë dhe nga hidrocentrali i Vaut të Dejës 1320 metra kub në sekondë.

Për shkak të intensitetit të reshjeve është rritur edhe niveli i ujit në liqene, megjithëse ato mbeten ende larg kuotës maksimale. Prodhimi i energjisë ka arritur në rreth 28 milionë kilovat orë në ditë dhe përveç plotësimit të nevojave të vendit, po bëhen edhe depozitime.

Ndërkaq, moti i keq ka shkaktuar disa avari në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, të cilat kanë nisur të riparohen.

Ndërkaq, institucionet e rëndësisë së veçantë, si spitalet nuk kanë pasur probleme në furnizimin me energji elektrike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos