“Revolucion” para Islandës, Reja ndryshon pesë titullarë

Nga A2 CNN
9 Shtator 2019, 23:40 | Futboll

Vetëm porta e paprekur. Pavarësisht largimit të Etrit Berishës, mes shtyllave do të mbetej Strakosha. Ai është reparti i vetëm, në të cilin përpara ndeshjes së kësaj të marte me Islanden, trajneri Edy Reja nuk kishte dilema.

Në mbrojtjen me tre, tekniku kuqezi njoftoi publikisht lënien në stol të kapitenit Mavraj, vendin e të cilit si qendër e majtë e merr Kastriot Dermaku. Lojtari i Parmës do të jetë përkrah Gjimshitit dhe Ismajlit.

Në skemën 3-5-2, reparti me i prekur nga ndryshimet është mesfusha. Nga ndeshja me Francën shpëtojnë vetëm kapiteni Elseid Hysaj në të djathtë dhe Keidi Bare në qendër. Ulen në stol Ramadani dhe Abrashi, vendin e të cilëve pritet ta marrin Memushaj dhe debutuesi Klaus Gjasula.

Rreshtimi i mundshëm

Në krahun e majtë Lenjani mendohet të luajë në pozicionin e tij natyral, aty ku Reja eksperimentoi dhe pagoi faturën e kripur me Roshin.

Në sulm konfirmohet Uzuni, ndërsa në rolin e pykës pritet të jetë Sokol Çikalleshi, me Bekim Balajn që ulet në stol.

Reja ka "shpëtuar" Uzunin dhe Baren nga disfata franceze

Një bisedë e gjatë me sulmuesin në stërvitjen e fundit, këshilla për atë çfarë trajneri kërkon në fushë. Çikalleshi e fitoi vendin, duke marrë penallti dhe duke e shënuar ai vetë në Stade de France.

Me skemën e tij të preferuar dhe pesë ndryshime në formacion, Edy Reja kërkon të rikthejë Shqipërinë te suksesi. Duke nisur prej sfidës së 10 shtatorit në Elbasan Arena. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos