
Gjithçka dukej e qetë në Aeroportin “Nënë Tereza” në ditën e parë të hyrjes në fuqi të kufizimeve të reja. Shtetasit që udhëtonin drejt shtetit shqiptar ishin njoftuar më herët nga kompanitë ajrore për masat që duhet të respektojnë duke nisur nga 6 shtatori.
Procedurat e kalimit kanë qenë të rregullta dhe pa probleme me autoritetet vendase në aeroport. Pa problem kanë hyrë edhe shtetasit e huaj. Disa prej tyre kanë zgjedhur që pushimet e shtatorit t’i kryejnë në Shqipëri.
“Vij nga Athina, jam i vaksinuar. Nuk më është nevojitur tjetër gjë”, shprehet një qytetar.
“Kam test negativ. Kam ardhur nga Gjermania dhe do të kaloj disa ditë pushim këtu në Shqipëri. Nuk pata asnjë problem, çdo që është në rregull”, shton një tjetër.
Kontrollet në kufij kanë qenë një kërkesë e vazhdueshme e ekspertëve të shëndeti publik, edhe gjatë kohës së verës. Muajt e ardhshëm, sipas tyre, pritet të sjellin rritje të rasteve të infektimeve, ndaj kujdesi nga autoritetet asnjëherë nuk është i tepërt. (A2 Televizion)