Rrëmbimi i Jani Prengës, urdhri erdhi nga burgu i sigurisë së lartë në Ekuador

Nga A2 CNN
30 Janar 2020, 15:49 | Kronikë

Pas kërkimeve në Shijak, forcat speciale të RENEA-s zhvilluan kontrolle dhe në Shkodër lidhur me rrëmbimin e më pas vrasjen e Jani Prengës. Ndonëse u kontrolluan disa shtëpi në rrethinat e Shkodrës policia nuk mundi të gjejë Gentian Doçin, i cili pritet të merret në pyetje për ngjarjen.

Nga ana tjetër hetuesit dyshojnë se urdhri për rrëmbimin e 49-vjeçarit më 17 janar të këtij viti u dha nga një burg në Ekuador, ku vuan dënimin shqiptari Dritan Rexhepaj. Ai është një emër i skeduar nga policia pasi akuzohet për vrasjen e disa policëve në Krujë ndërsa pas krimit u arratis. Gjithashtu Rexhepaj konsiderohet si një nga personazhet më të fuqishëm në botën e krimit në Vlorë, i cili në vitin 2014 u arrestua me 240 kg kokainë në Ekuador.

Sipas hetuesve ka dhe përgjime telefonike të cilat pritet të mbërrijnë nga Ekuadori ndërsa sasia e kokainës nga Amerika Latine në Britani ishte test për linjën që do ndiqej për transportimin e lëndës. Ky test i marrë përsipër nga vëllai i viktimës Astrit Prenga dështoi pa mbërritur në destinacion ndërsa kjo bëri që të jepej urdhri për pengmarrjen e tij.

Ndërkohë, nesër në orën 10:30 dalin në gjykatë për masën e sigurisë Bajram dhe Leonard Hajri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos