Policia, Frontex dhe GDF, operacion për kapjen e dy gomoneve të nisura nga Korfuzi

Nga A2 CNN
30 Janar 2020, 11:10 | Kronikë

Një operacion i përbashkët është zhvilluar nga Policia e Shtetit, Frontex-it, GDF-së dhe rojës bregdetare, për gjurmimin dhe ndjekjen e dy mjeteve lundruese, gomone, që ishin nisur nga Korfuzi, në drejtim të brigjeve shqiptare.

Policia bën të ditur se, ditën e djeshme rreth orës 16:00, pas informacionit të marrë se dy mjete lundruese tip gomone ishin pikasur në Korfuz nga avioni i Forntex-it, duke lundruar drejt ujërave shqiptare, menjëherë janë vënë në lëvizje të gjitha shërbimet policore nga uji, toka, po ashtu edhe nga ajri.

Ky operacion ka vijuar nga shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë, Delta Forcë dhe Guardia di Finanza, roja bregdetare, si dhe nën koordinimin orientues të QNO Durrës,  duke  mbajtur kontakte edhe me avionin e Frontex-it që kryente ndjekjen nga ajri, me qëllim bllokimin e mjetit dhe kapjen e bordit që drejtonte gomonen.

Gjatë ndjekjes, një mjet lundrues është kthyer përsëri në ujërat greke, ndërsa mjeti tjetër lundrues tip gomone me 3 motorë të llojit "Yamaha", në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke përfituar nga kushtet atmosferike dhe errësira e natës është braktisur nga ekuipazhi, pranë vendit të quajtur "Plazhi i Vjetër" Vlorë.

Nga kontrolli i ushtruar në mjet nuk është gjetur asnjë send apo material i kundërligjshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos