Rrezikohet fitorja, e pabesueshme ajo që i ndodh një klubi si Bayern

Nga A2 CNN
2 Prill 2022, 19:29 | Futboll

Bayern Munchen arriti një fitore me goleadë ndaj Freiburg në transfertë. Por, suksesi bindës me rezultatin 4-1 mund të vihet në rrezik, pasi bavarezët luajtën për disa sekonda me 12 futbollistë në fushën e lojës.

Përgjatë 17 sekondave, Bayern ishte me një lojtar më tepër sesa kundërshtari, pasi në minutën e 85, Coman, i cili u zëvendësua me Sule, nuk doli nga fusha.

Arbitri e ndaloi ndeshjen sapo e vuri re se diçka nuk shkonte.

Trajneri i Bayern Munchen, Nagelsmann, tha pas ndeshjes se gjithçka erdhi pas një gabimi në tabelën elektronike të arbitrit të katërt: “Ishte një situatë e çuditshme. Tolisso kishte probleme me stomakun dhe shkoi me vrap në dhomat e zhveshjes. Coman nuk e dinte që duhet të dilte nga fusha dhe qëndroi 8 apo 9 sekonda. Nuk ishte ndonjë gjë që ndikoi në rezultat”.

Por, trajneri i Freiburg, Christian Streich, nuk e mendon fare kështu: “Ka një rregullore që Freiburg, Bayern dhe të gjitha ekipet e tjera i nënshtrohen. Ajo rregullore është e qartë për atë që ndodhi sot. Nuk kam çfarë them unë më shumë”.

Në fakt, rregullorja thotë se “nëse një lojtar i cili nuk ka të drejtë të luajë apo të përdoret në një ndeshje, luan në atë ndeshje, takimi konsiderohet i humbur 2-0 nga ekipi që e ka kryer shkeljen dhe i fituar 2-0 nga kundërshtari, përveçse në rastin kur arbitri e vazhdon ndeshjen pas përdorimit të lojtarit që nuk duhet të kishte luajtur”.

Jochen Saier, drejtori sportiv i Freiburg, tha për Sky: “Duhet të shoh gjithçka sërish, me qetësi. Nuk e di për sa kohë luajti Bayern me një lojtar më shumë, por nuk ishte një kohë e gjatë. Nuk më kishte rastisur ndonjëherë diçka e tillë. Arbitri e vlerësoi situatën për shumë minuta dhe më pas lejoi që të vijonte loja. Tani duhet të qetësohemi dhe të shohim nëse do të apelojmë apo jo”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos