Rritja e çmimeve, sfidë që do të zgjasë. Prek 1-2% rritjen ekonomike

Nga A2 CNN
5 Prill 2022, 17:24 | Ekonomi
Rritja e çmimeve, sfidë që do të zgjasë. Prek 1-2%

Një sfidë e re është shfaqur në horizont për ekonominë shqiptare dhe do të zgjasë jo pak, sipas vlerësimit që bën Banka e Shqipërisë. Kur ekonomia shqiptare po i drejtohej një rimëkëmbjeje të fortë pas pandemisë, rritja drastike e çmimeve po prek familjet dhe bizneset shqiptare.

Por, sipas guvernatorit Gent Sejko, të dhënat e para tregojnë se kjo nuk do të prekë rritjen ekonomike.

Banka e Shqipërisë vlerëson se qeveria duhet të mbështesë shtresat më të varfra në këtë krizë, por pa rritur borxhin publik, ndërsa bizneset duhet të nisin shkurtimin e kostove operacionale dhe të rrisin eficiencën e energjisë.

Komentet u bënë gjatë prezantimit të raportit të Tranzicionit nga ana e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ekonomistët e BERZH shpjeguan se kjo fazë rritje e çmimeve të bujqësisë, energjisë dhe metaleve, do të rirregullojë të gjitha çmimet e tjera në tregje: “Duhet të sigurohemi që ky rregullim i çmimeve, të mos përkthehet në një spirale të vazhdueshme të inflacionit. Duhet të mbrohen shtresat më të prekshme të popullsisë, edhe pse kjo është e vështirë. Ushqimet dhe energjia janë shpenzimet kryesore të familjeve më të varfra, por ata që shpenzojnë më shumë energji dhe konsumojnë më shumë ushqime janë më të pasurit. Ndaj, subvencionet për këto produkte i ndihmojnë të varfrit, por kanë kosto më të lartë fiskale për ekonominë”.

Raporti i BERZH thekson nevojën për rritjen e përdorimit të teknologjisë nga individët dhe bizneset shqiptare, si një nga elementët që do të nxiste më shumë zhvillim ekonomik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos