Rritja e çmimit të energjisë, opozita kundërshton propozimet: Kurti i paaftë

Nga A2 CNN
20 Janar 2022, 16:25 | Kosova
Rritja e çmimit të energjisë, opozita kundërshton

Partitë opozitare në Kosovë akuzuan qeverinë për keqmenaxhim të situatës me energji elektrike dhe kundërshtuan propozimet për rritje të çmimit të energjisë. Ata i ndërprenë fjalën zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit u tha deputetëve se po manipulojnë me shifrat për rritje të çmimit.

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka akuzuar kryeministrin Kurti se është i paftë ta menaxhojë situatën. Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, tha se janë mbi 200 mijë familje që shpenzojnë mbi 800 kilovat. Ai bëri thirrje për protestë mbarëkombëtare dhe rezolutë kundër propozimeve.

Sakaq, në fjalën e tij Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, arsyetoi arsyen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. duke thënë se kapaciteti i prodhimit të energjisë është vetëm 727 megavat, ndërsa konsumi është mbi 1.3 gigavat.

“Nëse marrim përafërsisht 240 euro një megavatorë që e kemi blerë, në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm, në kushtet kur konsumojmë shumë më tepër se gjenerojmë, kur e shumëzojmë, del se dje, më19 janar, kemi paguar për import të energjisë, 2,5 milionë euro. Ku t’i marrim2.5 milionë euro? Asnjëri nuk dëshiron që energjia të jetë e shtrenjtë”, tha Kurti. Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë, për rritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A,B, C, D dhe E. Rritja prek vetëm kategoritë D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800 mbi 1000 kilovatë. Për kategorinë D, që shpenzon 800kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 12 euro e 31 centë. Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 24 euro e 62 centë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos