Rritja e rasteve të reja, kreu i Urgjencës tregon në “Dita jonë” gabimet që po bëjnë njerëzit

Nga A2 CNN
11 Qershor 2020, 09:47 | Aktualitet
Rritja e rasteve të reja, kreu i Urgjencës tregon në “Dita

Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, tregoi në studion e “Dita jonë” se ku po gabojnë njerëzit në sjelljen e tyre, sjellje që po çon në rritjen e numrit të rasteve të reja me Covid-19.

“E para, ka shumë gjithologë në rrjetet sociale që thonë se virusi është gënjeshtër, se ekonomia vjen para shëndetit etj. Gjithashtu, tubimet nuk duhet të ndodhin, pavarësisht se e kuptoj pakënaqësinë në rastin e të miturës. Bota i ka besuar qytetarit, duke i thënë që do të zbatosh disa rregulla të caktuara. Edhe në Shqipëri duhet të ndërgjegjësohet qytetari. Duhet të ruhesh, jo të marrësh në telefon për të pyetur se ku bëhet tamponi. Tamponi nuk do të thotë asgjë. Gjithashtu, përdorimi i maskës në ambiente të mbyllura është i detyrueshëm. Shoh nëpër institucione që futen njerëzit me maska në duar. Maska nuk duhet mbajtur në dorë. Përsa i përket dorashkave, ato nuk mbahen në dorë gjithë ditën. Mbaron një porosi me ato doreza, duhet të vendosësh të tjerat. Ose duhet të përdorësh dezinfektantin nëse nuk ke doreza”, tha Brataj.

Sipas tij, rritja e numrit të rasteve të reja ishte diçka që pritej: “Situata është ajo që prisnim. E dinim që me lirimin e masave do të rritej numri i infektuarve, por ndoshta u relaksuam më shumë seç duhet. Nuk është çudi për ne rritja e numrit të të infektuarve, por tërheqim vëmendjen se Covid-19 nuk ka ikur. Do të bashkëjetojmë me virusin për disa kohë. Nuk e njohim 100% këtë virus dhe ka një sjellje atipike në krahasim me viruset e tjerë”.

Brataj theksoi se tani, koronavirusi jep simptoma më të lehta, por moshat e treta dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese vijojnë të mbeten të rrezikuar.

Kur u pyet nëse rrezikohet një rimbyllje, Brataj tha: “Nuk flitet për rimbyllje. U shkelën rregullat e distancimit nga qytetarët dhe ky është rezultati. Ne jemi të përgatitur që nëse spitali Covid 1 do të mbushet, do të hapet Covid 2 sipas planifikimit. Njerëzit duhet të respektojnë rregullat, duhet të mësohen të bashkëjetojnë me këtë virus. Nëse nuk respektojmë virusin, nuk na respekton as ai neve”.

Në fund, Brataj theksoi se pushimet do të bëhen normalisht, por pa përqafime e puthje: “T’i lëmë përqafimet dhe puthjet, por jetën normale do ta vazhdojmë. Grumbullimi i njerëzve është pika kryesore e shpërndarjes së infeksionit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos