
Ukrainasit janë zgjuar me zhurmën konstante të sirenave që lajmërojnë sulme ajrore. 5 raketa u raportuan në qytetin perëndimor të Lviv, ndërsa në shënjestër të bombardimeve ruse u vu edhe kryeqyteti Kiev. Në Kharkivin lindor, të paktën 5 vetë u vranë e 13 të tjerë u plagosën.
Në Mariupol, ku trupat ukrainase refuzuan ultimatumin për t’u dorëzuar gjatë fundjavës, ushtria e Vladimir Putin do të mbyllë qytetin nga kjo e hënë, duke penguar hyrjet dhe daljet. Këshilltari i Kryebashkiakut të qytetit-port, tha se për ata që mbeten në Mariupol ushtria ruse po lëshon karta të posaçme, pa të cilat lëvizja do të jetë e pamundur. Moska pretendon se ka marrë kontrollin e shumicës së qytetit, me mbrojtësit ukrainas që besohet të jenë grumbulluar vetëm në zonën industrial të Azovstal.
Autoritetet thonë se qyteti ende nuk ka rënë dhe se ushtarët do të luftonin deri në fund. Por ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, paralajmëroi se rusët kishin vendosur të rrafshonin plotësisht Mariupolin.
“Situata në Mariupol është e tmerrshme dhe shumë e dhimbshme. Qyteti nuk ekziton më. Mënyra se si trupat ruse po sillen në Mariupol sugjeron se kanë vendosur ta rrafshojnë totalisht qytetin”, tha Kuleba.
Sulmet vijojnë pa u ndalur edhe në rajonin lindor të Donbas. Në videomesazhin e tij të fundit, presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski paralajmëroi për një ofensivë madhore në lindje të Ukrainas, me qëllimin për ta shkatërruar Donbasin. Qytetarët në Luhansk janë urdhëruar të evakuohen menjëherë sipas mediave në Ukrainë.
“Trupat ruse po përgatiten për një ofensivë në lindje të vendit tonë, që do të nisë në të ardhmen e afërt. Duan praktikisht ta shkatërrojnë dhe t’i japin fund Donbasit”, tha Zelensky.
Zelensky theksoi se nuk do t’ia lëshojnë Rusisë Donbasin, ndërsa i bëri thirrje Perëndimit për më shumë armë. “Çdo vonesë në dërgimin e armëve ka lejuar Rusinë të në vrasë”, deklaroi Zelensky. (A2 Televizion)